
Vendimi i kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, që ta pezullojë
postin e tij dhe jo të jap dorëheqje, siç po ia kërkojnë qytetarët dhe
opozita pas dënimit që ka marrë nga gjykata, ua ka “mbyllur gojën”
drejtuesve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilës i takon
edhe Muja.
Pavarësisht ngase vendimi për pezullim po vazhdon të
cilësohet si i paligjshëm dhe jokushtetues, “të mëdhenjtë” e PDK-së nuk
janë në gjendje ta thonë një fjalë të vetme.
Gazeta Blic ka kontaktuar me nënkryetarin e kësaj partie, Hajredin
Kuçi, i cili nuk ka qenë në gjendje të thotë se nëse veprimi i Mujës
është i ligjshëm ose jo, dhe gjithashtu, nëse është vendim “normal” hapi
për ta pezulluar pozitën.
“Ju lutëm për çështje të partisë pyesni zotëri Stavilecin”, është përgjigjur shkurt ai nëpërmjet mesazhit telefonik.
Ndërkaq, kontakti me zëdhënësin e PDK-së, Blerand Stavileci, ka qenë i
pamundur, ngase, telefoni i tij pasdite ka qenë i ç’kyçur.
Edhe “zëri kritik” i Ramdan Mujës nga Prizreni, Nait Hasani, nuk ka
qenë në gjendje ta komentojë veprimin e bashkëpartiakut të tij.
I kontaktuar nga gazeta, ai ka thënë se është rrugës për në Prizren,
dhe se e ka të pamundur të flas për çështjen në fjalë, siç ka thënë ai,
derisa ta merr informatën prej dorës së parë.
Kjo nuk është hera e parë që drejtuesit e PDK-së “zhdukën” kur një
anëtar i partisë së tyre bënë ndonjë skandal. Kështu ka ndodhur edhe më
parë, kur kryetarët e komunave të ndryshme, anëtar të PDK-së, janë
përfshirë në gjykime, apo janë përplasur me ligjin.
Si do qoftë, kryetari i dënuar i Prizrenit, Ramdan Muja, ka marrë
përkrahje nga kryetari i paritë së tij, Hashim Thaçi, që të vazhdojë ta
mbajë pozitën e kryetarit dhe assesi mos të jap dorëheqje.
Gjatë qëndrimit në Prizren, pasi është dënuar Muja, ai ka thënë se
kryetari i Prizrenit ka dëshmuar se si duhet të respektohen organet e
drejtësisë, ndërsa ka ftuar partitë opozitare që, siç ka thënë ai, mos
të ndërhyjnë me protesta në vendimet e drejtësisë.
“Drejtësia nuk duhet të përzihet me politikë. Prandaj, partitë
politike nuk duhet të ndërhyjnë në vendimet e drejtësisë”, tha ai, sipas
të cilit, Muja ende nuk i ka përfunduar të gjitha punët me
drejtësinë./Gazeta Blic/